Prishtinë, 28.04.2026
Është zhvilluar ceremonia e hapjes zyrtare e aktivitetit “Ditët e AME-së”, këtë vit, aktiviteti mbahet nga data 28 deri më 30 prill 2026.
Në këtë ngjarje morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Punëve të Brendshme, z. Genc Metaj, drejtues të lartë të institucioneve të sigurisë në vend, përfaqësues të agjencive ekzekutive të MPB-së, pjesëtarë të njësive profesionale, pjesëtar të Shoqatës për Kërkim Shpëtim, nxënës të shkollave fillore, si dhe stafi profesional i Agjencisë së Menaxhimit Emergjent.
Drejtori Ekzekutiv, z. Shefki Abdullahu, në fjalën e tij theksoi rëndësinë e organizimit të kësaj jave, duke vënë në pah nevojën për vetëdijesim dhe ndërgjegjësim qytetar. Ai nënvizoi rëndësinë e të qenit pranë qytetarëve, promovimin e rolit të Agjencisë, Njësive Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit, Qendrave Operative Emergjente 112, strukturave të mbrojtjes, shpëtimit dhe ndihmës, si dhe masave që duhen ndërmarrë në rast fatkeqësish, me fokus të veçantë në parandalimin e tyre.
Gjithashtu, të pranishmëve me një fjalë rasti iu drejtua edhe Sekretari i Përgjithshëm i MPB-së, z. Genc Metaj, i cili shprehu mirënjohje të lartë për punën e palodhshme të Agjencisë. Ai theksoi të arriturat e saj, duke theksuar se Agjencia po përjeton një kthesë të rëndësishme dhe po merr një rol gjithnjë e më të madh në nivel shtetëror si koordinuese në sistemin e mbrojtjes dhe shpëtimit.
Këto ditë po organizohen me qëllim të sensibilizimit të qytetarëve për përgatitjen dhe reagimin ndaj fatkeqësive natyrore dhe atyre të shkaktuara nga faktori njeri, duke promovuar rëndësinë e edukimit për siguri dhe rritjen e ndërgjegjësimit qytetar
